Ujësjellës Kanalizime Durrës përfundon investimin për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të zonës së lagjes nr 18 në rrugën kryesore “Mbreti Pirro” si dhe rrugën dytësore “Glaukia” bashkë me sistemimin e ujërave të shiut. Investimi në fjalë u realizua pasi janë marrë parasysh gjendja e rrjetit aktual si dhe ankesat e banorëve të zonës për ndotjen e ujit të pijshëm dhe furnizim jonormal në sasi dhe cilësi. Për normalizimin e situatës projekti kishte parashikuar shtrimin e një linje të re furnizimi me tubacion 315 mm dhe 400 mm. Investimi nis nga rrethrrotullimi i Kënetës nga ku bëhet shpërndarja për gjithë zonën.

Duke qenë se zona në fjalë ka edhe probleme që lidhen me përmbytjet gjatë stinës së dimrit, ishte menduar që të ndërhyhet edhe në sistemimin e ujërave të bardha duke ndërtuar një tubacion 400 mm me tub plastik të brinjëzuar. Në lidhje me linjat e shpërndarjes në zonat e lagjes 18 dhe 17, ato janë ndërtuar pjesërisht të reja, ndërsa një pjesë do të jenë linjat ekzistuese. Lidhja e tubacionit të ri është bërë ne tubacionin 500 mm pranë kryqëzimit që njihet me emrin “Rrota e qerres”, i cili furnizon me ujë qytetin e Durrësit. Në total punimet janë kryer për rreth një muaj dhe investimi ka vlerën e 9.9 milion lek me TVSH, fonde të Ujësjellës Kanalizime Durrës. Investimi në fjalë ka dhënë efekt të menjëhershëm, pasi banorët e kësaj zone furnizohen menjëherë me ujë sipas grafikut të përcaktuar nga drejtoria e UKD-së.