Ujësjellës Kanalizime Durrës ka marrë në dorëzim sasinë e matësve që është planifikuar në kuadër të kredisë së Bankës Botërore për instalimin në masën 100 % të tyre në gjithë zonën e shërbimit. Në magazinën e ndërmarrjes janë sistemuar rreth 25 mijë matës të modeleve të ndryshme, të cilët do të instalohen në zonat ku ende nuk ka të tillë si dhe për lidhjet e reja të furnizimit me ujë të pijshëm. Bëhet fjalë për matës prodhim austriak dhe francez, së bashku me aksesorët përkatës për lidhjet e furnizimit me ujë të pijshëm për banesa private, pallate dhe biznese private. Matësit e rinj janë të një cilësie mjaft të lartë dhe me aksesorë të tillë që nuk mund të vidhen apo dëmtohen lehtë.

Përvec matësve “singlejet”, “volumetric” dhe “ultrasonic” që do të vendosen në linja të dimensioneve të ndryshme, në bazë të kërkesës së ndërmarrjes, në këtë sasi të mbërritur pak ditë më parë, gjenden edhe 3 matësa elektromagnetikë që do të shërbejnë për matjen e  sasisë së ujit në distanca të largëta dhe tubacionet D80 që furnizojnë biznese të ndryshme. Paralelisht me matësit e rinj, pranë Ujësjellës Kanalizime Durrës kanë mbërritur dhe bokset e rinj plastikë, brenda të cilëve do të instalohen matësit për bizneset e ndryshëm dhe blloqe pallatesh. Instalimi i këtyre matësve pritet të eleminojë humbjet në rrjet si dhe do të ndikojë në rritjen e faturimit.  Instalimi i matësve në masën 100% në të gjithë zonën e shërbimit me ujë të pijshëm është një nga katër komponentët e kredisë së Bankës Botërore, me vlerë 85,3 milion euro, e cila është nëshkruar 3 vite më parë për ndërtimin e linjës së re të Ujësjellës vetëm për qytetin e Durrësit, rehabilitimin e kanalizimeve të ujërave të ndotura në qytet dhe zonën e Plazhit, mbështetjen institucionale për reformimin e ndërmarrjes si dhe instalimin 100 % të matësve.