Realizohet investimi prej 25 milion lekësh për rrjetin e kanalizimeve të ujërave të ndotura në zonën kodër vilë

Afro 2000 banorë kanë përfituar nga investimi i ujësjellës kanalizime Durrës në zonën e kodër vilës dhe lagjen 10. Zona në fjalë është mjaft e populluar me ndërtime të ngritura vitet e fundit po nuk ka pasur rrjet të kanalizimeve të ujërave të ndotura. Inxhinieri i ujësjellësit Bledar Metalla shprehet se falë një investimi prej 250 milion lekë të vjetra zona në fjalë ka rrjet funksional të ujërave të ndotura të cilat dërgohen me anë të sistemit të pompave në impiantin e Shënavlashit.

 

Banorët e zonës në fjalë janë shprehur të kënaqur me investimin pasi infrastruktura rrugore ka qenë mjaft problematike gjatë viteve të fundit. Projekti i hartuar nga dega teknike e ujësjellësit ka parashikuar shtrimin i rrjetit të ri kryesor të kanalizimit me tubacion të brinjëzuar 315 mm me gjatësi totale 1350 ml.Projekti parashikon edhe ndërtimin e 900 metra të tjera kanalizime sekondare me tub të brinjëzuar me dimension 250 mm. Firma zbatuese e punimeve ka realizuar edhe ndërtimin e 80 pusetave të kontrollit përgjatë tubacionit kryesor.Investimi në fjalë përmirëson ndjeshëm infrastrukturën e zonës ndërkohë që disiplinimi i ujërave të zeza ndikon dukshëm në përmirësimin e mjedisit të zonës duke larguar ndotjen dhe erën e keqe.

 

 

 

 UKD realizon lidhjet e reja të ujit të pijshëm në ish-fermën Xhafzotaj

Ujësjellës Kanalizime Durrës është duke kryer një investim në rrjetin shpërndarës në ish stacionin zooteknik Xhafzotaj në mënyrë që të rritet sasia e furnizimit me ujë për këtë zonë. Me fondet e vetë ndërmarrjes është mundësuar hapja dhe shtrimi i një linje të re furnizimi me gjatësi 900 metër linear. Dega teknike e UKD-se ka menduar që në këtë linjë të vendoset tubacioni i ri me diametër 63 mm, ndërkohë që përgjatë saj po vendosen edhe kasetat ku secila nga familjet do të marrë linjën e re të furnizimit duke hapur kontratë dhe duke vendosur matësin e ujit. Me realizimin e këtij investimi modest zona në fjalë parashikohet që të furnizohet me 3 orë ujë në ditë, nga 1 orë që merrte më parë. Paralelisht me këtë investim punonjësit e UKD-së kanë pastruar tubacionin kryesor nga lidhjet e paligjshme që ishin bërë gjatë viteve të fundit. Bëhet fjalë për lidhjet e paligjshme që ishin bërë në tubacionin kryesor DN 700 mm. Në kuadër të këtij investimi UKD ka parashikuar ndërhyrje edhe në pjesën juglindore të fshatit në afërsi të shkollës si dhe në fshatin Pjeshkë. Banorët janë shprehur të gatshëm në hapjen e kontratave të reja si dhe vendosjen e matësve si e vetmja rrugë për normalizimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe rritjen e kohës së furnizimi nga 1 në 3 orë në ditë.

 

 UKD nis verifikimin e depozitave të qytetarëve që kanë probleme me rrjedhjen e ujit

Ujësjellës Kanalizime Durrës ka nisur punën për verifikimin e të gjitha depozitave të qytetarëve që kanë probleme me rrjedhjen e ujit. UKD ka ngritur një grup të posaçëm me punonjës të saj të cilët kanë nisur punën për të bërë verifikimin në lidhje me gjendjen e depozitave. Grupi i punës ka si detyrë fillimisht që të shohë nëse linjat e furnizimit me ujë deri tek depozita kanë rrjedhje dhe nëse funksionojnë galixhanët  e tyre. Kjo masë është marrë për të parandaluar humbjet e ujit në rrjet në mënyrë që të gjithë klientët e Ujësjellës Kanalizime Durrës të kenë furnizim normal me ujë të pijshëm. Pasi grupi i posaçëm verifikon gjendjen e depozitave, ata bëjnë një njoftim tek personat që kanë probleme të rrjedhjes së ujit në depozita, të cilat mund të jenë si pasojë e tubave të çara apo galixhantëve të dëmtuar. Nëse qytetarët nuk marrin masa për riparimin e këtyre defekteve, atëherë Ujësjellës Kanalizime Durrës do të marrë masa ndëshkuese të tilla si gjoba dhe ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm. Masa më e fundit e Ujësjellësit pritet të ketë një ndikim pozitiv për të ruajtur dhe mos shpërdoruar ujin e pijshëm, duke qenë se sezoni turistik sapo ka filluar në qytetin e Durrësit. Në shumë zona të qytetit ka probleme të shumta me depozita të dëmtuara që shkaktojnë humbje të konsiderueshme të ujit të pijshëm.