Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë (SHUKALB) dhe Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës (SHUKOS) zhvilluan për tre ditë konferencën e përbashkët ballkanike, e cila këtë vit ishte titulluar “Uji dhe Punësimi”. Të dyja shoqatat e ujësjellësve kanë vazhduar edhe këtë vit traditën e nisur në vitin 2013 për organizimin e një Konference dhe Ekspozite të përbashkët Ballkanike. Këtë vit, Konferenca dhe Ekspozita e Katërt e Përbashkët Ballkanike, u mbajt në Tiranë, në datat 2, 3 dhe 4 nëntor 2016. Konferenca me temë “Uji dhe Punësimi”, solli më shumë në vëmendje sfidat e shumta me të cilat përballemi në sektorin e ujit duke punuar për të zëvendësuar një forcë punëtore në prag pensioni dhe ndërkohë punojmë për të komunikuar mundësitë për karrierë që ekzistojnë në sektorin e ujit, por që nuk janë të mirë kuptuara nga gjeneratat e reja në Ballkanin Perëndimor.

Konferenca dhe Ekspozita e Përbashkët Ballkanike është shndërruar me të vërtetë në eventin më të madh në ndarjen e informacionit dhe netëorking në sektorin e ujit në Ballkanin Perëndimor. Me një audiencë prej mbi 450 pjesëmarrës nga rajoni i Ballkanit dhe më tej, Konferenca ofroi një platformë ku profesionistë të ujit, politikëbërësit dhe profesionistëve të biznesit nga sektori mblidhen dhe diskutojnë mbi çështje me interes, shkëmbejnë informacion, dhe ndajnë përvojat e tyre në përpjekje për të ndihmuar më tej zhvillimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Rajonin e Ballkanit.

Prezenca e Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a në Konferencë

Një pjesë e stafit të Ujësjellës Kanalizime Durrës, ashtu si çdo vit, ka qenë i pranishëm në konferencën e katër ballkanike. Në hapje në Konferencës i pranishëm ishte drejtori i përgjithshëm i shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Durrës Ing. Spartak Kovaçi, nëndrejtori Kasem Bejko si dhe pjestarë të tjerë të degëve të UKD-së. Pjesë e komitetit të programit të konferencës së katërt ishte Rozarta Pura (Goxhabelliu), zv/shefe e burimeve njerëzore pranë UKD, e cila moderoi sesionin e mbajtur ditën e dytë të konferencës me temë: Menaxhimi i burimeve njerëzore. Në ditën e tretë të konferencës Stela Nenada, përgjegjëse e drejtorisë ekonomike, mbajti referatin me temë: Analiza e performancës tekniko-financiare e shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Durrës. Shoqëria UKD është ndër të parat që ka vënë në zbatim risinë që lidhet me vlerësimin e performancës së stafit të UKD-së, në bazë të të cilit punonjësit do të marrin shpërblimin sipas performancës të arritur. Vlerësimi i performancës është vënë në zbatim për herë të parë këtë vit pas Vendimit të Këshillit të Ministrave në lidhje me këtë proces si dhe miratimit nga ana e bordit drejtues të shoqërisë.